Tirana e Partizani në Europë si “çifuti në shkretëtirë”, Arena ua mbyll derën!

Shpresojnë suksesin, por kanë marrë një goditje që u prish punë. Dy klubet e kryeqytetit, Tirana e Partizani, nuk do të munden që të luajnë në “Arenën Air Albania” për kupat e Europës, pasi fusha e stadiumit do të punohet. Tirana duhej të luante në “Arenë” në 12 korrik në orën 20:00 në Champions, ndërsa Partizani e ka ndeshjen në program dy ditë më vonë, në 14 korrik dhe në të njëjtën orë për Ligën e Konferencës. Gjithsesi, fusha e stadiumit kryesor të Shqipërisë do të jetë e padisponueshme sepse do të mbillet sërish me bar pikërisht në këtë periudhë, dhe deri në mesin e muajit gusht nuk mund të luajë askush. Klubi i Partizanit reagoi sot zyrtarisht në faqen e tij në FB, duke akuzuar drejtorinë e stadiumit që zgjodhi pikërisht këtë kohë për të mbjellë barin.

Gjithsesi, drejtori i stadiumit, Keidi Tomori, i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se Partizani e dinte një gjë të tillë, dhe se lloji i barit që po mbillet në stadium është i tillë që mund të punohet pikërisht tani dhe në asnjë periudhë tjetër të vitit. Tomori tha se përparësi e stadiumit është kombëtarja që luan në shtator. Tomori shton se stadiumit i intereson që ekipet të luajnë, sepse kështu siguron më shumë të ardhura, por për arsye objektive kjo nuk është e mundur. Sipas të gjitha gjasave, Tirana dhe Partizani do të luajnë në “Elbasan Arenë”, aty ku u zhvillua derbi i fundit, fituar nga bardheblutë 2-1 që morën matematikisht edhe titullin kampion.

Sfidanti.al