Tifozët e lojtarët në sondazhin e trajnerit, fiton Klopi, humb Tuhel!

Jurgen Klop ishte fituesi i madh i sondazhit popullor për të gjetur trajnerin e ri të Bajernit, ndërsa Tomas Tuhel ishte humbësi i vërtetë, në sondazh dhe jashtë tij.

Plot 51 000 tifozë votuan online për gazetën “Bild” dhe Klopi fitoi 25 për qind të votave. Habia më e madhe ishte për teknikun e vendit të dytë, kroatin Niko Kovaç, që sot është në stolin e Frankfurtit, dhe që mori 19 për qind të votave. Në vendin e tretë u rendit trajneri i Lajpcigut, Ralf Hazenhytl me 16 për qind të votave.

Më pas, disa nga emrat e njohur si Poçetino i Totenhemit (14 për qind), Luis Enrike (12 për qind) apo Lysien Favre i Nisës (9 për qind). Vetëm nga fundi, “çunaku” Julian Nagelsman i Hofenhajmit që mori vetëm 5 për qind të votave.

Edhe profesionistët e skuadrës kanë “folur”, edhe pse jo zyrtarisht. Ata nuk kanë nxjerrë ndonjë preferencë, por kanë përcaktuar se kë nuk e preferojnë. Humbësi është Tomas Tuhel, ish-trajneri i Dortmundit, i shkarkuar në fund të sezonit të kaluar. Besohet se Tuhel nuk pëlqehet për problemet me komunikimin me lojtarët.

Sfidanti.al