Horge Sampaoli nuk është aspak një trajner i keq, pavarësisht nga turpërimi që pësoi Argjentina e tij ndaj Spanjës. Jo vetëm kaq, por ai duket se ka edhe nuhatjen apo instinktin e duhur, pasi sipas mediave, kishte paralajmëruar me kohë që miqësorja ndaj spanjollëve të mos zhvillohej.
“Të luash ndaj Spanjës, apo edhe ndaj Italisë, shumë pranë Botërorit dhe me skuadrën tonë në rindërtim e sipër, është një vetëvrasje”, – mësohet se kanë qenë fjalët e tij. “Spanja është thuajse si kampione e botës, – tha Sampaoli, – pa asnjë kompleks, dhe pa asnjë të metë, ndërsa unë dua të provoj, të eksperimentoj, për të krijuar një skuadër”.
“Një zjarrvënie e panevojshme në prag të udhëtimit për në Rusi”, komenton gazeta madrilene, “Marka”, për më tepër pa Lionel Mesin. Gjithsesi, ky instinkt nuk mjafton që të shfajësojë trajnerin i “albiselestëve”. Duke qenë autoriteti kryesor sportiv i kombëtares, përse Sampaoli pranoi të luhej ndaj Spanjës? Nëse ai do të kishte vënë “veton”, nuk mund ta detyronin me zor, dhe ky nuk është një karakter prej kampioni.
Sfidanti.al