Ti nuk gënjen dot Gatuzo: Juventusi, ndoshta, meritonte më shumë!

Të thëna menjëherë pas një ndeshjeje të tillë, kaq të rëndësishme, kaq me “spec” dhe kaq shpërblyese (më në fund), tregojnë shumë. Xhenaro Gatuzo nuk u rrëmbye nga euforia, krenaria dhe lehtësimi shpirtëror pasi Napoli i tij mundi 1-0 Juventusin, por foli me mendje të ftohtë e duke i bërë apel ndërgjegjës së tij si njeri.

“Ishim në vështirësi tepër të mëdha, – pohoi hapur trajneri napolitan, – vuajtëm shumë, por patëm shpirtin e madh të skuadrës. Juventusi ndoshta meritonte më shumë”. Juventusi padyshim që meritonte më shumë, dhe të vetmin kompromis me të vërtetën, Gatuzo e bëri me fjalën “ndoshta”, të cilën e futi në fjalinë e tij për hir të faktit se është trajner i Napolit dhe duhet të respektojë tifozët e tij, që thonë se ekipi i tyre gjithnjë fiton me meritë.

“Rino” thekson mungesat e mëdha sidomos në sulm (por, tani edhe në portë e në mbrojtje), ndërsa vlerëson lojtarët duke thënë se “përderisa jemi lart në renditje, është së pari meritë e tyre”. Nuk ka dyshim se skuadra është me të, pasi “nëse nuk do të më ndiqnin lojtarët, do të kisha bërë gati valixhet e do të kisha shkuar në shtëpi”. Nuk dihet nëse do të ketë forca ky Napoli të vazhdojë të jetë lart, që të kualifikohet të paktën për në Champions, por tek Gatuzo ka një trajner të veçantë, me karakter dhe që nuk gënjen dot.

Sfidanti.al