Dimri “ngrin” futbollin, nuk ka ndeshje në Shqipëri deri në 20 shkurt!

Pritej të luhej të mërkurën, por kjo nuk do të ndodhë. Superliga shqiptare e ka të pamundur të zhvillohet normalisht për shkak të kushteve atmosferike dhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) mori vendimin që të mos ketë ndeshje deri të shtunën e ardhshme. Më herët u vendos që të anuloheshin ndeshjet e kësaj të diele, si dhe pjesa më e madhe e sfidave të djeshme të Kategorisë së Parë, ndërsa më pas anulimi u bë i përgjithshëm.

Federata informon se shumë prej terreneve sportive dhe stadiumeve ku duhet të luhen ndeshjet, janë në gjendje të rënduar për shkak të reshjeve të borës, ndërsa besohet se edhe një pjesë e rrugëve mund të jetë e rrezikshme për udhëtim. Ndeshjet e mesjavës në Superligë do të luhen në një ditë tjetër, siç do ta vendosë Sektori i Garave.

Të mërkurën duhej të luheshin sfida të tilla si Tirana-Teuta apo Kukësi-Partizani, ndërsa Vllaznia kryesuese e Superligës do të ishte në Korçë. Gjithsesi, deri në 20 shkurt, sipas vendimit të Federatës, nuk do të ketë aktivitet të futbollit në asnjë kategori dhe në asnjë nivel moshe, për meshkuj e për femra.

Sfidanti.al