Ka qenë një film shqiptar i kohës së kaluar, me titullin “Kur hidheshin themelet”. Nga ky film, le të shkëpusim një copëz bisede mes një punonjëseje të Partisë , Lajes, dhe “të deklasuarës” Bude. E para i thotë se shtëpitë e të pasurve do t’ia japin të varfërve, dhe se të pasurit do të duhet të jetojnë në bodrum. “Po ku jetohet në bodrum”, thotë Budja (Drita Pelingu). “Shikoni një herë ato kaçorret ku kemi jetuar ne”, përgjigjet Laja (Mimika Luca).
Përtej vlerësimit pozitiv apo negativ të filmit, ky debat të kujton fjalët e yllit argjentinas, Karlos Tevez, që deklaroi se futbollistët në Argjentinë mund të jetojnë për disa kohë edhe pa u paguar, ndërsa njerëzit e thjeshtë jo. Natyrisht, Tevezi duhet duartrokitur për guximin, dhe për faktin se doli kundër vetvetes (në kuptimin financiar), por shprehja e tij se “një futbollist mund të jetojë 6 muaj deri në 1 vit pa u paguar”, ndoshta na rri pak ngushtë.
Një futbollist në elitën argjentinase paguhet mesatarisht 270 000 dollarë amerikanë në vit, ndërsa rroga mesatare e një qytetari argjentinas është diçka më pak se 1 400 dollarë amerikanë në muaj, pra 16 800 dollarë në vit. Kjo do të thotë se një futbollist merr mesatarisht 16 herë më shumë të ardhura se një qytetar. Nuk po llogarisim, që 25 për qind e punonjësve në Argjentinë fitojnë më pak se gjysmën e kësaj shume, pra fitojnë 32 herë më pak se futbollistët (mesatarisht). Kjo do të thotë se një futbollist, nëse do të vendosë veten në vendin e një punonjësi të varfër apo mesatar, mund të jetojë shumë më tepër sesa 1 vit pa u paguar.
Sfidanti.al