Formula 1/ Verstapen me makinë të re

E ardhmja e Max Verstapen vazhdon të mbetet një temë shumë e diskutuar në “paddock”-un e Formulës 1, ndonëse piloti holandez duket se ka gjetur rezultatet me Red Bullin, duke i rikthyer në garë për titullin. Zërat për një bashkim të katër herë kampionit të botës me skuadrën Aston Martin janë fuqizuar nga vetë deklaratat që vijnë nga brenda ekipit britanik. Një lloj “flirti” me dominuesin aktual të pistës që nuk ka pushuar.

“Max ka treguar interes në media dhe për ne është lëvdatë të shohësh një interes të tillë. Ai mendon se jemi një ekip i vendosur dhe që po ecim në drejtimin e duhur”, u shpreh CEO i Aston Martin, Andi Kouell, në një prononcim për “Motorsport”. Sigurisht, në këtë moment nuk mund të hapet një derë që nuk ekziston, por Kouell e thellon më tej vizionin e së ardhmes, me një Aston Martin që synon të bëhet protagonist i madh në Formula 1: “Që kur Laurenc Stroll e bleu ekipin, fjalët e tij janë shoqëruar gjithmonë me vepra. Mjafton të shohësh kampusin, investimet, qasjen e tij për të tërhequr figura si Adrian Njuei. Është i vendosur, dhe të gjithë e shohin seriozitetin për ta kthyer ekipin nga një skuadër që mezi mbijetonte… në një skuderi që ka ardhur për të fituar”, shton Kouell.

Emri i Verstapen vjen në skenë menjëherë pas shumë spekulimeve rreth të ardhmes së Fernando Alonsos. Piloti spanjoll vazhdon të fokusohet në të tashmen dhe konkurrencën që do të tregojë makina nën rregulloren e re. Për më tepër, figura si Guenter Shtainer kanë deklaruar se askujt nuk do t’i shkonte në mendje të lejonte largimin e Alonsos pa pasur një zëvendësues të denjë. Verstapen është ende shumë larg ekipit britanik, por pas gjithë atyre diskutimeve të fillimit të sezonit, një lidhje e re tingëllon e pazakontë. Gjithashtu, Aston Martin e bën të qartë se plani i së ardhmes mbështetet tek Fernando Alonso, lider dhe yll i projektit, si dhe te Lans Stroll, pilot i shpejtë, shpesh me gabime… por djali i pronarit. “Kemi fatin t’i kemi të dy deri në fund të vitit 2026, të paktën”, shpjegoi Kouell, i cili premton emocione të forta për të ardhmen: “Jemi të vendosur të krijojmë një makinë jashtëzakonisht të shpejtë. Duam të kemi një makinë aq të mirë, sa të gjithë të dëshirojnë ta drejtojnë”, përfundoi drejtuesi i skuadrës Aston Martin.

sfidanti.al