Në Itali, faza e dytë e kampionatit nuk do të jetë si tradicionalisht. Javët do të “shkartisen”, pak a shumë siç ndodh prej kohësh në Angli, veçse nga kjo “përzierje” më keq nga të gjithë duket se i ka qëlluar Interit. Trajneri Simone Inzagi është i shqetësuar nga kalendari “revolucionar” i cili e vendos ekipin e tij përballë provave shumë të forta në janar e shkurt. Në atë periudhë, zikaltqërit do të jenë përballë 4 nga 6 ekipeve kryesore të Serisë A, do të ketë finalen e Superkupës ndaj Juventusit dhe po ashtu do të luajë ndeshjen e parë në turin e dytë në Champions ndaj Liverpulit. “Do të kisha preferuar kalendarin tradicional, – thotë trajneri, – në Angli ndryshojnë, por jo kaq shumë. Vetëm Interit i kanë qëlluar kaq shumë sfida direkte”. Duket se fati i titullit do të vendoset në këtë periudhë. Ndërkaq, drejtuesit Çang e Marota janë të lumtur me të. “Ai është ylli ynë polar, – thonë ata, – prisnim më shumë vështirësi, por ai u përfshi shumë lehtë në projektin tonë”.
Sfidanti.al