Si përballje ishte ndoshta më e bukura e sezonit. Totenhem-Liverpul ishte një reklamë që Premier Liga angleze mezi po e priste në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë nën epideminë e Kovidit. Gjithsesi, as kampionati më i bukur dhe më korrekt i botës nuk mund t’i shpëtojë polemikave. Përtej rezultatit 2-2, nervat ishin në qiell për vendimet e gjyqtarit Tierni. Fillimisht, ai kurseu kartonin e kuq për Harri Kejnin e Totenhemit, që mund t’ia kishte thyer këmbën Andi Robertsonit, nëse ky do ta kishte të mbështetur në tokë. Më pas, ai gjykoi se rrëzimi në zonë i Diogo Zhotasë së Liverpulit nuk meritonte të ishte penallti. Pranë fundit, Tierni përjashtoi me të kuq Robertsonin për një ndërhyrje të ashpër ndaj një lojtari vendas.
Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop nuk e përmbajti dot veten në mbyllje të ndeshjes dhe vrapoi tek arbitri. “Unë nuk kam probleme me asnjë gjyqtar, Tierni, por vetëm me ty, – bërtiti ai, – ju duhej të kishit dhënë një penallti, por nuk e bëtë. Ju nuk keni luajtur asnjëherë futboll”. Edhe ish-arbitri anglez i FIFA-s, Klatenburg, gjykon se Liverpulit i duhej dhënë penallti për rrëzimin e Zhotasë. Trajneri i Totenhemit, Antonio Konte, vlerësoi ekipin e tij, ndërsa pati gjithashtu një pretendim për gjyqtarin.
“Një paraqitje e mirë, – tha ai, – impenjim dhe përkushtim i madh i ekipit. Nuk ishte e lehtë pas 2 javësh të vështirë për shkak të Kovidit. Një pikë e rëndësishme ndaj Liverpulit, njërës prej skuadrave më të mira në Europë. Sa për arbitrin, në golin e dytë të Liverpulit më thanë se Salah e preku topin me dorë”. Edhe Konte duket se ka të drejtë pasi Salahu sipas pamjeve e ka prekur topin me dorë. Pas 18 javësh, Premier Ligën e kryeson Mançester Siti me 44 pikë ndaj 41 të Liverpulit e 38 të Çelsit.
Sfidanti.al