Nuk dihet sesa ka dhuruar, por thuhet se është shumë e madhe. “Lë Parizien” i bën jehonë një njoftimi të Fondacionit “Abe Pjer”, që falenderon Kilian Mbapenë për një dhurim të madh që ka bërë për të ndihmuar të varfrit, dhe sidomos të pastrehët në këtë periudhë të rëndë krize. Natyrisht, nuk mbarojnë fjalët e mëdha falenderuese për sulmuesin 21-vjeçar të Paris SG dhe të Francës, që dhuroi mjaft nga paratë e veta (që gjithsesi, mund të jenë vetëm 1 a 2 për qind të rrogës vjetore). Ky veprim, sipas Fondacionit, do të bëjë të mundur që disa të varfërve t’u bëhet e mundur të kenë ujë dhe higjienë, ushqim, ndihma të ndryshme dhe një strehë për ata që janë në rrugë.
Çuditërisht, nuk sheh në asnjë media “normale” franceze një pyetje me çudi dhe zemërim: Si ka mundësi që në një vend kaq të madh e të pasur si Franca ka ende njerëz të tillë? Sa për Mbapenë, ai mund të jetë i sigurt se nga ky dhurim, sado që të jetë, do të ndihet më i lumtur, më në paqe me ndërgjegjen, sesa nga çdo dhuratë luksi që mund t’i bëjë vetes, qoftë kjo një automobil, vilë, aeroplan, helikopter, apo çdo tekë që pëlqen të ketë një njeri që nuk di se çfarë është paraja, dhe se në cilën shoqëri jeton.
Sfidanti.al