Pritja e së shtunë ishte madhështore. Futbollistët e Realit u brohoritën si heronj ndërsa mbërritën në “Bernabeu” për ndeshjen e La Ligës ndaj Barcelonës, veçse pas dy orësh gjithçka u përmbys. Skuadra pësoi humbjen e dytë në 4 ditë ndaj Barçës, humbën shanset në kupë dhe kampionat, dhe tifozët shpërthyen në sulme të ashpra.
Tashmë gjithkush e di se Championsi mbetet shpresa e fundit. Ndaj Ajaksit sot në “Bernabeu” luhet për jetë a vdekje, ndonëse fitorja e parë në Holandë e bën shumë më të lehtë pozitën e madrilenëve. “Këtu mbërthehet Madridi”, shkruan gazeta “Marka”, duke nënkuptuar se Championsi është shansi i vetëm i mbetur për trofe në këtë sezon. “Duhet një plumb, por është si një predhë topi”, komenton gazeta tjetër madrilene, “AS”, që shton se Madridi është në dilemën “të jesh apo të mos jesh, madje pa Sergio Ramosin në mbrojtje”.
Kapiteni është mungesa e vetme për trajnerin Santiago Solari, i cili ka mundësi të zgjedhë formacionin më të mirë të mundshëm, minus qendërmbrojtësin. Gjithsesi, Solari ndihet i shqetësuar për diçka tjetër. “Federata Holandeze u tregua siç duhet, dashamirëse, ndaj Ajaksit, duke ia shtyrë ndeshjen e kampionatit, – tha ai, – pra, kundërshtari ka pasur më shumë kohë për të pushuar. Kemi luajtur më shumë ndeshje se ata, por le të jepi optimistë, jemi mësuar me këto kushte”.
Ajaksi udhëtoi drejt Madridit pa presion. Holandezët nuk janë favoritë, madje u lavdëruan për lojën që zhvilluan në ndeshjen e parë të turit të dytë në “Johan Krujf Arena”. Skuadra më e shquar e Holandës është inferiore ndaj spanjollëve, dhe ka humbur radhazi prej saj, por ky duket fati i saj, sepse kurrë nuk e ka gjetur Realin në një moment kaq të keq.
Trajneri Ten Hag është në të njëjtën gjendje si përpara sfidës së parë, me dy mungesa, ato të qendërmbrojtësit Magajan dhe të mesfushorit Eiting. Reali, gjithsesi, jepet favorit i madh jo vetëm për t’u kualifikuar, por edhe për të fituar, ndonëse presioni do të jetë tepër i madh.
Sfidanti.al