Si trajner ka një statistikë aspak të mirë kur vjen puna tek Juventusi. Stefano Pioli nuk ka arritur kurrë ta mundë skuadrën torineze. Në 9 përballje, janë 3 barazime dhe plot 6 humbje, por njeriu që sot drejton në Milano, e ka gati një përgjigje: “Nuk e kam mundur dot Juventusin më parë, sepse nuk kam qenë në stolin e Interit”. Batutë e fortë, aq më tepër që kjo fundjavë i vë përballë Interin e tij me kampionët, madje në stadiumin “Juventus”. “Kundërshtari është i fortë, nuk ka diskutim, -analizon Pioli, – e tregojnë numrat, rezultatet, mentaliteti, lojtarët dhe trajneri. Po luan mirë me skemën e re, dhe duhet të mos u japim hapësirë”. Për trajnerin e Interit, ndeshja në Torino është shumë e rëndësishme, “vlen më shumë se 3 pikë, por nuk është vendimtare për sezonin”. Interi ka dalë më mirë sesa Juve në 10 ndeshjet e fundit, me 8 fitore, 1 barazim e 1 humbje, ndërsa synimi është ngjitja sa më lart në tabelë.