Katër skuadra, katër ndeshje, tri fitore dhe asnjë humbje. Bilanc më i mirë se kaq vështirë se mund të mendohej për skuadrat spanjolle në Ligën e Europës, aq më shumë që të katra luajtën jashtë fushe. Sevilja tregoi momentin e rëndësishëm duke hedhur hapin e madh për kualifikimin brenda në Romë ndaj Lacios, me golin e të zakonshmit Uisam Ben Jeder në 22’. Në fushë për italianët, Tomas Strakosha (në foto) në portë dhe Riza Durmishaj si zëvendësues në 44’.
Valencia ia doli në Gllazgou ndaj Sëlltikut, 2-0, me gola të rusit Denis Çerishev dhe të Ruben Sobrinos, ndërsa Vijarreali triumfoi në derbin iberik, në fushën e Sportingut në Portugali. Alfonso Pedraza ishte autori i golit. Barazimi i vetëm spanjoll, 3-3 i Betisit në Francës ndaj Renës. Miqtë reaguan fort në pjesën e dytë, duke shmangur humbjen 1-3. Lo Selso, Sidnei dhe Diego Lainez shënuan për ta.
Për italianët, pati dy fitore dhe një humbje. Për Lacion folëm më lart, ndërsa Interi triumfoi pa Ikardin, 1-0 në Vjenë ndaj Rapidit, me rrjetën e Lautaro Martinezit, ndërsa Napoli ia doli në Zvicër ndaj Zyrihut, 3-1. Insinje, Kajehon dhe Zielinski tundën rrjetën e zviceranëve, me Hysajn që mbeti në stol pa u aktivizuar.
Një fitore dhe një humbje e papritur për anglezët, që nuk kënaqën as tifozët e tyre. Arsenali u rrëzua në Bjellorusi ndaj një BATE të Borisovit, me mjaft përvojë në Europë. Aleksandre Lakazetë mori karton të kuq, ndërsa Granit Xhaka mori të verdhë. Goli i vetëm u shënua nga Stanislav Drahun në 45’. Çelsi triumfoi 2-1 në Suedi me Malmoen, me rrjeta të Barklit dhe Zhirusë. Kristiansen shkurtoi shifrat për vendasit.
Dy barazime për gjermanët, por të pranueshëm, pasi ishin jashtë fushe. Leverkuseni mori një 0-0 me vlerë, por edhe të rrezikshëm, në Rusi ndaj Krasnodarit, kurse Frankfurti përfitoi nga epërsia numerika për të mos u mundur në fushën e Shahtarit të Donjeckut.
Rezultatet: BATE-Arsenal 1-0, Krasnodar-Leverkusen 0-0, Gallatasaraj-Benfika 1-2, Lacio-Sevilja 0-1, Olimpiakos-Dinamo Kiev 2-2, Rapid Vjenë-Inter 0-1, Renë-Betis 3-3, Sllavia Pragë-Genk 0-0, Sëlltik-Valencia 0-2, Klub Bryzh-Salcburg 2-1, Malmo-Çelsi 1-2, Viktoria Plzen-Dinamo Zagreb 2-1, Shahtar Donjeck-Ajntraht Frankfurt 2-2, Sporting Lisbonë-Vijarreal 0-1, Zyrih-Napoli 1-3.
Sfidanti.al