Spaleti humb toruan nga pyetjet për Insinjen: Mos më çani t…!

Nuk ishte diçka normale ai reagim, ndonëse trajneri i Napolit padyshim u ndje i bezdisur, e madje i vendosur nën presion. Luçiano Spaleti nuk e priti mirë “bombardimin” me pyetje për mungesën e Lorenco Insinjes në ndeshjen në fushën e Salernitanës në Serinë A (fituar 1-0), ndaj edhe e humbi gjakftohtësinë. Fillimisht, Spaleti u tregua i qetë duke thënë në lidhje direkte televizive se “Insinje pati një lodhje muskulore dhe rrezikonte të bëhej edhe më keq, i kërkova që të vendoste vetë dhe më tha se ishte në dispozicion nëse do të kishim nevojë, por edhe 30-35 minuta ishin shumë, dhe nuk doja të rrezikoja një lojtar me nivel të tillë teknik”.

Trajneri napolitan përfundoi duke thënë “asnjë “çështje”, asnjë problem”. Kjo pyetje iu ngrit edhe më pas, në konferencën e shtypit, dhe aty ai u zemërua. “Nuk mund ta aktivizoja kur mbetëm me 10 vetë, – tha ai, – përse i jepni kuptim personal kësaj gjëje? Që tani po shoh se me çfarë titujsh do të dilni nesër. Sërish po bëhem unë njeriu antipatik? Nuk ka ndodhur asgjë”. Spaleti nuk harron historinë me Françesko Totin, për të cilin tifozët e Romës ende e kanë zët.

Sfidanti.al