Solskjer sa gjysma e Murinjos, por norvegjezi është i lumtur!

Pak muaj më parë, kur ishte trajner tek Molde, me siguri merrte një rrogë që nuk besohej të ishte më e lartë se 200 000 apo 300 000 euro në sezon. Tashmë, Ole Gunar Solskjeri sikur “ka kaluar ylberin”, jo për t’u bërë vajzë, por për të qenë një nga teknikët më të paguar të botës. Drejtuesit e Mançester Junajtidit pritën e pritën, por më në fund e ndanë mendjen që t’i jepnin një kontratë 3-vjeçare, pra me kohë të plotë, dhe me rrogën 7 milionë paund stërlina në sezon.

Kjo do të thotë më pak se gjysma e Zhoze Murinjos që fitonte 18 milionë paund stërlina në vit, por gjithsesi norvegjezi i ri nuk mërzitet aspak. “”Kjo ishte puna për të cilën unë kam ëndërruar gjithnjë, – tha ai në një deklaratë në faqen e klubit, – shpresoj që të arrijmë sukseset që tifozët tanë të mrekullueshëm i meritojnë”. Junajtid, nën drejtimin e Solskjerit fitoi 14 në 19 ndeshje, barazoi 2 e humbi 3, duke qenë dy pikë poshtë zonës Champions në Premier Ligë dhe në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Sfidanti.al