Edhe pse askush nuk mund ta vërtetojë zyrtarisht, sërish njerëzit kanë shumë dëshirë të debatojnë për më të mirin lojtar të secilit sport. Në futboll, vihen “në peshore” Pele, Maradona e Mesi, në atletikë Xhesi Ouens, Karl Ljuis apo Usain Bolt, dhe në Lojrat Olimpike, Larisa Latinina e Majkëll Felps.
Nuk mund të mbetet prapa basketbolli, ku Majkëll Xhordani është për momentin “mbreti pa kurorë”, por në një debat ku ka hyrë emri i Lebron Xhejmsit. Vetëm Lebroni është treguar për një kohë të gjatë modest, por së fundmi deklaroi se “jam unë më i miri”. Gjithsesi, në studion e emisionit televiziv, “Shfaqja Shumë e Vonshme” (The Late Late Show), kjo pyetje iu bë edhe Kobi Brajantit.
“Do të doja t’ua lija juve të zgjidhnit, – tha ish-ylli i Lejkërsave, – por, megjithatë po e them mendimin tim. Unë jam më i miri, Xhordani i dyti, dhe Lebroni i treti”. Brajant ka dalë 5 herë kampion i NBA-së, Majkëll Xhordani 6 herë, ndërsa Xhejms tri herë, por ka statistika më të mira personale se dy të parët.
Sfidanti.al