Dihej se do të kishte qenë shumë e vështirë.
Gjithsesi, është ndryshe kur e provon, dhe Skënderbeu pati për herë të dytë përvojën e përballjes me atë që mund të quhet pjesë e elitës së futbollit europian, Dinamon e Kievit.
Përtej dëshirës dhe përgatitjeve me zellin më të madh, gjithnjë ekziston një kufi që përcaktohet nga buxheti, tradita dhe momenti.
Përfundimi doli 3-1 për vendasit, skuadrën më të famshme të Ukrainës dhe një nga më të pasurat në kontinent.
Skemat e trajnerit Daja dhe dhënia e 100 përqindëshit nuk mjaftuan, ashtu siç ishte pak, për shembull, për APOEL-in e Nikozisë në fushën e Realit të Madridit.
Ukrainasit fituan 3-1 me përmbysje, ndërsa formacioni shqiptar kthehet në atdhe me një pjesë të parë mjaft të mirë, dhe me reagim në minutat e fundit.
Gjergji Muzaka dha shpresë me golin në minutën e 39-të, ndërsa 45 minutat e para ishin të luftuara për të dyja palët.
Krenaria dhe përvoja ukrainase u provuan menjëherë pas pushimit, kur goditën saktë dhe befasisht me dy gola në vetëm 3 minuta.
Kjo përmbysje e tronditi ekipin shqiptar që pësoi edhe rrjetën e tretë me penallti, por gjithsesi, nuk e nxorri krejtësisht nga ndeshja.
Në minutat e fundit, korçarët patën të paktën dy mundësi për të zvogëluar humbjen dhe për të pasur mundësi, pse jo, për të marrë një barazim.
Jo pak ndaj një kundërshtari që vlen në treg të paktën 10 herë më shumë, plot 61 milionë euro ndaj 5.7 milionë, si dhe me një fuqi financiare krejtësisht të pakrahasueshme.
Dinamo sot besohet se ka një buxhet prej 90 milionë eurosh, ndërsa Skënderbeu besohet 1.5 milionë, dhe këto shifra e bëjnë të qartë diferencën.
Në vetëm pjesëmarrjen e dytë në grupe, shqiptarët u ndeshën me një klub që ka afërsisht 400 ndeshje një kupat e Europës, që ka dy trofe europianë, katër finale të mëdha dhe katër gjysmëfinale.
Të shohim nëse ky pësim do t’i bëhet mësim në ndeshjen e dytë, që do ta ketë në “Elbasan Arena” ndaj Jang Bojsit të Zvicrës.
Sfidanti.al