“Skaner” Basket-Sllovenia, kampionia e vogël e një kontinenti të madh!

Një vend i vogël, kampion i një kontinenti të madh. Sllovenia mund të festojë pa i vënë fre gëzimit për një arritje të rrallë, fitoren e Kampionatit Europian të basketbollit për meshkuj. Shteti me vetëm 20 000 km katrorë dhe 2 milionë banorë, më i vogël se Shqipëria, u bë dominuese e vërtetë e turneut që përfundoi në Arenën e Stambollit, duke i fituar të gjitha ndeshjet.

Franca, Greqia, Ukraina, Letonia, Spanja dhe Serbia u dorëzuan para saj. Një shembull sesi me organizim dhe punë mund të arrish edhe atë që nuk mendohet, të paktën një herë.

Sllovenia i pati yjet e saj. Goran Dragiç, kapiteni 31-vjeçar, u shpall lojtari më i mirë i Europianit. Basketbollisti i Majemit ka një karrierë imponuese në Slloveni, Spanjë dhe NBA, ndërsa me kombëtaren ishte shpallur kampion i kontinentit 13 vjet më parë, me Slloveninë U20. Ai udhëhoqi ekipin me 35 pikë të shënuara në finalen ndaj Serbisë, që u fitua 93-85.

Ylli tjetër ishte adoleshenti Luka Donçiç. Tetëmbëdhjetëvjeçari pësoi dëmtim në finale, por ishte vendimtar gjatë gjithë turneut dhe shpejt mund të largohet nga Reali i Madridit për në NBA. Jo më pak meritë trajneri Igor Kokoshkov. Specialisti serb e pati të pamundur të ngjitej në elitën e basketbollit në vendin e tij dhe e tregoi veten tek Sllovenia. Jo më kot ai është ndihmëstrajner në NBA, ku ka punuar me skuadra të tilla si Klipers, Detroit, Feniks, Klivlend, Orlando dhe tani Juta.

Sllovenia gjithsesi e ka një traditë basketbolli, të paktën 75-vjeçare. Klubet e saj kanë qenë pjesë e ligave shumë të forta të ish-Jugosllavisë, dhe lojtarët më të mirë kanë luajtur për përfaqësuesen jugosllave, shumë herë kampione botërore, europiane dhe një herë kampione olimpike. Ivo Daneu, Peter Vilfan apo Jure Zdovc janë disa nga emrat që mjaftojnë për t’u përmendur.

Sllovenia, edhe pse e vogël, është një vend i nivelit shumë të lartë të basketbollit. “Arena Stozhice”, pallati kryesor i sportit në vend, ndërtuar në Ljubljanë, kushtoi 66 milionë euro. Klubi më i madh slloven, Olimpija, ka të ardhura prej gati 4 milionë eurosh në sezon, dhe ka luajtur vazhdimisht në Euroligë, Eurokup dhe Ligën e Adriatikut.

Sfidamti.al