Mançester Siti dhe Pep Guardiola janë jashtë Ligës së Kampionëve. Trajneri katalanas u eleminua për herë të parë në karrierë në të tetat e finaleve, ndërsa Siti nuk iu afrua dot suksesit të vjetshëm me Pelegrinin kur arriti deri në gjysmëfinale. Ishte Monako që përmbysi humbjen 3-5 në stadiumin “Etihad” duke fituar 3-1 dhe duke kaluar për në çerekfinale me rregullin e golit në fushë kundërshtare (6-6 rezultati i kombinuar).
Nuk bëri fajde që Guardiola hodhi në fushë një formacion shumë sulmues me lojtarë të tillë si Kun Aguero, Leroi Sane apo Rahim Stërling në fazën ofensive. Kilian Mbape, një djalë i ri tepër i talentuar, shënoi golin e parë për francezët në stadiumin “Luigji II”, ndërsa Monako e mbylli shkëlqyeshëm pjesën e parë me rrjetën e Fabios në 29’. Man. Siti reagoi pas 45 minutave të para tmerrësisht të dobëta dhe Sane shënoi në 71’, një gol që u duk se e kualifikoi skuadrën angleze. Nuk ishte e thënë.
Timue Bakajoko fiksoi fatin e keq të miqve në 77’ kur realizoi me kokë prapa shpinës së portierit Kabajero. Monako është skuadra që shënon më shumë gola këtë sezon në Europë dhe u duk qartë edhe ndaj Sitit se nuk e ka të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë, duke u bërë një forcë e vërtetë e Championsit nën drejtimin e ish-trajnerit të Portos, Zhardim.
Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes nuk pati asnjë të papritur, pasi Atletiko e Madridit nuk e shpërdoroi epërsinë 4-2 arritur në Gjermani. Leverkusen mundi thjesht të barazonte 0-0, por jo më shumë se kaq, dhe formacioni i drejtuar nga Diego Pablo Simeone do të jetë në shortin e së premtes, në mes 8 ekipeve më të mirë të Ligës së Kampionëve.
Sfidanti.al