Ishte harruar dominimi i tyre. Anglezët nuk ishin aspak si në vitet 70-80-të, apo si në periudhën 2005-2008, veçse revolucioni në Premier Ligë do të mbërrinte deri këtu. Pas dy ndeshjeve të para të turit të dytë të Ligës së Kampionëve, përfundimi është se Europa duhet t’ua ketë frikën skuadrave të tyre.
Totenhemi u bë favorit për çerekfinalet pasi barazoi 2-2 në Torino ndaj Juventusit, dhe jo vetëm sepse reagoi nga 0-2, por sidomos sepse dominoi në mënyrë impresionuese me lojë, brenda në “gojën e ujkut”. Eriksen, Kejn, Ali, Dembele e Lamela bënë çfarë deshën duke e lënë nënkampionen e Europës në rolin e spektatorit.
Mançester Siti e pati më të lehtë, por kjo nuk do të thotë se ishte gjë e lehtë dhe e vogël të fitohej 4-0 në fushën e Bazelit. Skuadra që mundi Mançester Junajtidin në fazën e grupeve, që vite më parë mposhti Bajernin e madh në fushën e saj, ishte përgatitur për një tjetër të papritur, veçse filozofia e të besuarve të Pep Guardiolës nuk i la asnjë mundësi. Siti bëri lojën, shënoi 4 golat dhe thjesht shtyu minutat deri në përfundim, duke qenë praktikisht i kualifikuar.
Me Mançester Junajtidin e Liverpulin, që dolën të parët në grupet e tyre në fazën e parë dhe me Çelsin që mbetet rival i rrezikshëm për këdo, krijohet panorama e plotë e forcës së ekipeve nga Anglia.
Në “Alianc Arena” të Torinos u luajt një dramë mes dy “aktorëve” krejt të ndryshëm. Totenhemi vinte si “rishtar”, si një ekip me shumë pak përvojë përballë një formacioni stërklasik të Kupës së Kampionëve, dhe e vuajti këtë në 10 minutat e para, aq sa e pa veten nën dy gola të shënuar nga Gonzalo Higuain. U duk se gjithçka përfundoi dhe se loja e bukur e Spërsave ishte lënë për në kampionatin anglez.
Jo, e vërteta do të ishte ndryshe. Harri Kejn, edhe pse u refuzua dy herë nga i madhi Xhanluixhi Bufon, e bëri të vetën dhe ishin anglezët që luajtën futbollin për 80 minuta me radhë. “Gjelat” e trajnerit Poçetino mbajtën 67 për qind topin, duke kujtuar Barcelonën më të mirë të Guardiolës, patën më shumë gjuajtje drejt portës, më shumë në kuadrat, ndërsa i lejuan Juventusit vetëm nja 100 pasime, tri apo katër herë më pak sesa vetvetes. Nuk mund të thuhet se Totenhemi është kualifikuar, por kështu si erdhën punët, meriton çerekfinalet.
Mançester Siti është pak të thuhet se luajti thuajse i vetëm në fushë. Mbajti topin 74 për qind (!!!), bëri 868 pasime ndaj 294 të Bazelit, dhe shënoi 4 gola. Zviceranët, me Taulant Xhakën titullar, dhe Albian Ajetin zëvendësues, i patën disa raste, por u dukën tepër të vegjël. Guardiola synon titullin në kontinent, ashtu si edhe në Angli, plus dëshiron edhe kupat angleze.
Sfidanti.al