Siti mban presionin e Liverpulit me një kryevepër në derbi

Kevin De Brujn dhe Rijad Mahrez shënuan dy herë duke treguar se kampionët e Anglisë kanë karakter të fortë, edhe kur trysnia nis të bëhet maksimale, edhe kur përballë tyre është një skuadër që më së shumti i ka mundur. Derbi ndaj Mançester Junajtidit në stadiumin “Etihad” përfundoi 4-1, me Mançester Sitin që dominoi pas pushimit pas një pjese të parë të vështirë. “Ky ishte një nga nivelet më të larta të futbollit që kemi luajtur ndonjëherë si skuadër, – ishin lavdërimet e Pep Guardiolës, trajnerit që kërkon titullin e 4-ët në Premier Ligë, – pjesa e dytë ishte e shkëlqyer.  Të mos harrojmë se Junajtidi kishte 8 ndeshje pa humbje, dhe se në pjesën e parë ishte shumë agresiv, tipik mentaliteti i Ralfit (Rangnikut)”.

Trajneri katalanas veçoi Bernardo Silvën pas pushimit, ndërsa qetësoi tifozët lidhur me një dëmtim të mundshëm të De Brujnit. “Nuk ishte ndonjë gjë serioze”, – tha Pepi. Pas një pjese të parë të luftuar që përfundoi 2-1, “qytetarët” ishin “qiellorë”. Në total ata patën 24 gjuajtje drejt portës (5, Junajtidi) dhe 10 në kuadrat ndaj 2 të kundërshtarit. Mungesa e Kristiano Ronaldos mund t’u ketë prishur punë “djajve të kuq”, por as prania e tij nuk do të mund të kishte ndryshuar fatin e ndeshjes me atë që ngjau në 45’ e dyta. Siti ka 69 pikë ndaj 63 të Liverpulit, por ka luajtur një ndeshje më shumë.

Siti: Ederson, Uolker, Stouns, Laporte, Kanselo, De Brujn (Gyndogan 80’), Rodri, Bernardo Silva, Mahrez, Foden, Grilish.

Sfidanti.al