Silvinjo për Shqipërinë, a do të mundet braziliani ta “kërcejë sambën”?!

Duket se në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) kanë menduar që pragmatizmi italian nuk bëka më për kombëtaren. Edhe pse me De Biazin u arrit kulmi në Euro 2016 dhe me Rejën u kalua nga niveli C në atë B në Ligën e Kombeve, sërish presidenti i institucionit, Duka, gjykoi se ishte më mirë të ndryshohej “gjellë”. Jo i bindur nga trajnerë si Luixhi Di Biaxho apo Marko Xhampaolo, Duka besoi se braziliani Silvinjo mund të jetë “i pikuari nga qielli”. Nuk besohet për rrogën, pasi Silvinjo ka qenë ndihmës i Tites tek Brazili dhe ka drejtuar për pak kohë Lionin e Korinthiansin, ndaj edhe nuk duhet të jetë kënaqur me pak.

Ndoshta, presidenti i futbollit tonë ka gjykuar se vetë publiku kërkonte një ndryshim dhe si një “aktor i polikës” ka vendosur t’ia plotësojë dëshirën. E tillë qenka shoqëria njerëzore, një përpjekje e “elitës” për të kënaqur njerëzit me spektaklin e “gladiatorëve”. Meqë Reja mori “karton të verdhë” sepse shpesh nuk prodhoi dot futboll të mirë, Duka i premton tifozëve “sambën” braziliane me Silvinjon. Trajneri 48-vjeçar e ka kërcyer shumë mirë “lambadën” si lojtar me Korinthiansin, Arsenalin, Barcelonën apo Mançester Sitin, por a do të mundet ta bëjë si trajner? Apo do të përfundojë si Panuçi?!

Sfidanti.al