Edhe trajneri Alegri u detyrua me mënyrën e tij të pranonte se “gjëja e mirë në këtë ndeshje ishte që nuk pësuam gol”. Në të vërtetë, nuk është kjo që kërkohet nga një Juventus i fortë kur luan ndaj Sampdorias, qoftë edhe jashtë fushe, ndërsa një tregues që “djeg” është që më i miri për torinezët ishte portieri Perin. Dakord, edhe për ligurët më i miri ishte portieri Audero, por ku është diferenca në potencial mes dy ekipeve? Jo vetëm kaq, por Sampi goditi dy herë shtyllat, ndërsa rastet në “Marasi” ishin me “pikatore”. E vërtetë që Alegrit i mungonin gjashtë lojtarë: Di Maria, Pogba, Kieza, Kai Zhorge, Bonuçi, Shezni! E vërtetë edhe që është vetëm java e dytë e kampionatit dhe gjithçka mund të ndryshojë, por shqetësimi më i madh i tifozëve e ndoshta edhe e klubit, si dhe “tehu” i kritikës së opinionistëve është që pavarësisht skemës 4-3-3, Juventusi nuk arrin të shënojë, nuk arrin të furnizojë siç duhet sulmuesin kryesor, Dushan Vlahoviç.
Sfidanti.al