Shvajnshtajger, një hero i vjetër gjerman i futbollit modern!

Jo një nga më të talentuarit, por padyshim një nga më të mëdhenjtë. Bastian Shvajnshtajger, personalitet i shquar i futbollit gjerman dhe botëror, i dha fund karrierës në moshën 35-vjeçare. Ish-mesfushori imponues lajmëroi tifozët me një mesazh në Tuiter, duke i falenderuar për mbështetjen gjatë gjithë karrierës, e duke treguar arsyet familjare dhe personale për vendimin e marrë.

Shvajnshtajgeri luajti për 17 vjet me Bajernin e Mynihut, duke qenë në fushë për ekzaktësisht 500 ndeshje, e duke fituar gjithçka që mund të fitohej. Ai u shpall disa herë kampion i Gjermanisë dhe fitues i Championsit, si edhe i Superkupës së Europës apo Kupës së Botës për klubet. i mbiquajturi “Basti” dhe “Shvajni” ai shënoi gola të rëndësishëm për bavarezët.

Me kombëtaren e Gjermanisë gjithashtu pati suksese të mëdha. Bastian Shvajnshtajger u shpall kampion i botës në 2014 në Brazil, ndërsa mbajti fanelën për 12 vjet dhe për plot 121 ndeshje. Ai u tërhoq nga kombëtarja në 2016, duke qenë kapiten në Kampionatin Europian, pas largimit të Filip Lahmit.

Në 2015, ai i dha fund karrierës me Bajernin dhe u bashkua me Mançester Junajtidin, i kërkuar nga trajneri Luis Van Gal. Dëmtimet e penguan që të ishte i rëndësishëm, me mesfushorin gjerman që luajti shumë pak, dhe që zgjodhi të mbyllte karrierën në Ligën Profesioniste të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në jetën private, ai është martuar në 2016 me ish-tenisten serbe, Ana Ivanoviç, me të cilën ka dy djem. Bastian Shvajnshtajger do të mbahet mend si një nga futbollistët më të rëndësishëm të Gjermanisë e të Bajernit.

Sfidanti.al