Është në hapat e tij të parë. Një 19-vjeçar, me emrin Marash Kumbulla u grumbullua në kombëtare nga Edi Reja, për ndeshjet ndaj Francës e Islandës.
Ja edhe fjalët e tij të para: Jam shumë i emocionuar për ftesën, edhe pse unë jam shumë i ri dhe do të vazhdoj të luajë për U21-in, por thirrja në kombëtare është emocion i madh”.
I rekomanduar që më përpara, nga ish-trajneri Kristian Panuçi, mbrojtësi i ri i qendrës, ka bërë në pak muaj një ngjitje spektakolare në karrierën e tij ende tepër të re. Titullar me Veronën në Serinë A, falë teknikut të ri Juriç, dhe autor goli, me rekordin si shënuesi i parë në kampionatin italian i lindur në vitin 2000.
I vlerësuar si një yll i së ardhmes, i mbiquajturi Maks, cilësohet si tepër i pjekur për moshën e tij të re. Pikërisht këtë theksonte korrikun e vitit të kaluar ish-trajneri i Shqipërisë U19, Erion Bogdani, njëkohësisht ish-lojtar i Veronës.
“Ai është një mbrojtës qendre i fortë sidomos në kokë, – tha ish-sulmuesi i shquar, – Është një lojtar mjaft i mirë, edhe pse është shumë i ri, lindur në vitin 2000. Është i talentuar, por duhet të punojë shumë që të vërtetojë fjalët që them unë apo që thonë të tjerët. Është koha që ai të nisë të luajë edhe në skuadrën e parë, dhe shpejt të jetë titullar e të luajë në Serinë A”.
Bogdani e pati Kumbullën në Shqipërinë U19, duke e ndjekur nga afër në stërvitje. Që në atë kohë, ai e tregoi veten të aftë në mbrojtje dhe në sulm, duke shënuar edhe gol me specialitetin e tij, me kokë, siç ndodhi në duelin ndaj Kazakistanit. Pjekuria e parakohëshme bëri që ai të kalonte etapat, pasi kaloi shumë pak kohë me ekipin Shpresa të drejtuar nga Alban Bushi, për t’u vendosur në dispozicion të kombëtares.
Rasti i Marashit është tipik i një djali emigrantësh shqiptarë që e gjejnë veten tek futbolli. Prindërit, babai Lin e mamaja Mimoza, u vendosën në Peskiera di Garda, siç pohuan në intervistën dhënë “La Gazeta delo Sportit”. E nisën me punë të vështira, ndërsa tani kanë biznesin e tyre pikërisht në Peskiera di Garda, ku kanë 20 të punësuar.
Marashi u lidh që në fillim me ngjyrat verdheblu të Veronës, dhe u dallua në moshë fare të vogël. Ai kaloi me radhë ekipet e moshave në Akademinë veroneze, duke u piketuar si lojtar për skuadrën e parë. Sot, ai është bërë një nga lojtarët më të dashur të tifozëve dhe besimi është se do të ketë një karrierë të shkëlqyer.
Sfidanti.al