Shtatë fitore radhazi për Interin, Inzagi ngre në qiell Xhekon e Damfrisin!

Një skuadër është më shumë e rrezikshme kur arrin të përballojë ndeshjet e vështira dhe madje t’i fitojë ato. Një sfidë e tillë i qëlloi Interit ajo ndaj Torinos edhe pse luhej në “San Siro”, dhe u desh gjithë përpjekja kolektive e zikaltërve për të marrë tri pikët. Sesa e zorshme ishte t’ia dilej e tregon fakti se goli i mbrojtësit holandez, Damfris, u shënua në kundërsulm, me top të shërbyer nga Edin Xheko. Sulmuesi boshnjak e tregoi veten sërish se është lojtar ekipi dhe lojtar trajneri, jo thjesht një egoist goli.

“Xheko dhe Damfris janë lojtarë tipikë për filozofinë time të lojës, – tha trajneri Inzagi më pas, – Duhet të falenderoj drejtuesit që më ndihmuan që të merrnim lojtarët e duhur gjatë verës së kaluar. Zhvilluam një lojë të rëndësishme, e dinim se Torino do të ishte rival shumë i fortë, por nuk u rrezikuam thuajse aspak”. Inzagi thotë se tani duhet që skuadra të pushojë dhe të mbledhë energjitë për vazhdimin. “Është kënaqësi të dëgjosh që Interi është favorit për titullin, por verën e kaluar nuk mendohej kështu”, – vërejti ai. Interi ka 46 pikë në krye të Serisë A ndaj 42 të Milanit, ndërsa ekipet e tjera kanë mbetur më prapa.

Sfidanti.al