Shtanga që po ngre Elezi dhe kontrasti i rastit “Hasani”

Një ditë më parë kaloi me shpejtësi një lajm që në dukje mund të konsiderohet si normal në ambjentin tonë “acid”, por që meriton më shumë vëmendje dhe minimalisht edhe pak reflektim. Një shqiptar ka arritur të fitojë një betejë në dukje të pamundur duke u bërë president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF). Astrit Hasani, shqiptar i Kosovës ka bërë historinë me një sport që në vendin fqinjë, ndryshe nga Shqipëria, nuk konsiderohet elitar. Në Kosovë janë dukshëm më të talentuar në xhudo, basketboll dhe ndoshta edhe handball por jo në shtangë dhe kjo duhet të na bëjë të reflektojmë e të ndihemi keq. Ku është peshëngritja shqiptare sot? Skandal pas skandali, me një president federate të rikthyer nga forca të errëta që pasi e la në mjerim me skandalin e dopingut, e rimori i ndihmnuar nga njerëz që vetëm interesin e peshëngritjes nuk mbështesin. A kemi shembuj për të eksportuar ne si shqiptarë?

Astrit Hasani është shembulli më i qartë i faktit që pa marifete dhe kulisa, drejtimin e institucioneve sportive mund ta marrin edhe njerëz të ndershëm e me meritokraci. A mund të thotë kush sot se çfarë ka bërë Elez Gjoza në këto 2-3 vite të mbretërimit të dytë në FSHP? Perveç një daljeje publike përpara SPAK-ut në mbështetje të kryebashkiakut, ai ka bërë shumë dëme në sportin që dikur konsiderohej favorit për medalje e si për ironi 2-3 djem nga Dagestani i largët i rrëmbejnë medaljet në arenën ndërkombëtare duke e bërë të duket minimalisht i parëndësishëm dhe në rastin më të keq, një njeri të dështuar dhe aspak në linjë me politikën që duhet të ketë një drejtues vizionar.

Lufta më e madhe që bëhet sot në zyrat e FSHP me shumë mundësi duhet të jetë ajo e përzgjedhjes së numrit të sediljeve në avionmët që drejtuesit udhëtojnë për të shoqëruar shtangistët, shpesh herë duke i lënë edhe pa një mjek duke i sakrifikuar në dobi të një bilete për vete apo për miqtë e shokët. Çfarë kontrasti më z. Hasani, një njeri i nderuar që eksporton eksperiencë për shtangën europiane dhe sa turp për shtangën shqiptare ku ndodhet sot.

Nga Pirro Bardhyli