Interesimi është tepër i madh, gjithsesi. Tifozët shqiptarë kanë nxituar për të blerë biletat e ndeshjeve ndaj Francës dhe Andorrës, ndërsa për qytetarët që jetojnë brenda vendit kostoja është e lartë. Çmimi mesatar për Francën është 2 200 lekë, ndërsa nis nga 1 500 deri në 5 000 lekë, pa llogaritur tribunën VIP. Kjo do të thotë, rreth 6 apo 7 për qind e rrogës mesatare mujore në Shqipëri.
Ndaj Andorrës, blihet më lirë, dhe kjo është e kuptueshme pasi luhet ndaj ekipit më të dobët në grup, por megjithatë shumica e biletave është nga 1 000 deri në 3 000 lekë.
Diferenca nuk është e madhe me Turqinë, ndonëse sërish jan pak më lirë se tek ne. Në ndeshjen Turqi-Islandë të grupit tonë eleminator, shumica e biletave kushtojnë 18 deri në 26 dollarë, pra qytetarit turk do t’i duhet të paguajë mesatarisht më pak, duke pasur rrogën mesatare 370 dollarë në muaj.
Më lirë në vende si Polonia apo Rusia. Në Poloni-Slloveni, shumica biletat janë nga 27, 36 e deri në 65 euro. Flasim për një vend ku rroga mesatare është 850 euro në muaj, pra tifozët polakë paguajnë më lirë në krahasim me të ardhurat. Edhe më lirë në Rusi, madje edhe për një ndeshje të rëndësishme si ajo ndaj Belgjikës, numrit 1 në botë në renditjen e FIFA-s. Shumica e biletave në stadiumin e Shën Peterburgut janë nga 16 dollarë deri në 30 dollarë, në një vend ku rroga mesatare shkon në mbi 550 dollarë në muaj.
Federata Angleze ka çmime edhe më të favorshme për ndeshjen ndaj Malit të zi në “Uembli”. Biletat kushtojnë nga 40 deri në 139 euro, dhe nuk duhet të harrojmë se paga mesatare mujore në Britani është 3 000 euro.
Duke u kthyer tek Shqipëria, burime në Federatën e Futbollit pohojnë se biletat e ndeshjeve të kombëtares, përbëjnë një burim të rëndësishëm të të ardhurave, ndryshe nga Federata të tjera si në Turqi, Angli, Rusi apo Poloni. Buxheti i Federatës Turke, sipas këtyre burimeve arrin në 400-500 milionë euro, ndërsa e drejta televizive është shitur me 400 milionë euro, ndërsa e drejta televizive e ndeshjeve të Shqipërisë, jo më shumë se 2-3 milionë euro.
Sfidanti.al