Shqipëria shpëton me barazim në Maqedoni, por vuan pa masë në Strumicë!

Përfundon në barazim 1-1 ndeshja e kombëtares shqiptare në Maqedoni, e vlefshme për eleminatoret e Kupës së Botës. Në një përballje të vështirë në stadiumin e Strumicës, ekipi ynë përfaqësues pati mundësi të dilte fitimtar pasi kaloi i pari në epërsi.

Goli u shënua nga Odise Roshi në minutën e 53-të, pas harkimit të topit nga Armando Sadiku. Gjithsesi, kuqezinjtë e trajnerit Panuçi nuk mundën ta mbanin avantazhin deri në fund, pasi u ndëshkuan nga një 11-metërsh, që u kthye në gol nga sulmuesi Aleksandër Trajkovski. Maqedonia duhet thënë që luajti më mirë dhe meritoi të paktën të merrte barazimin.

Ky rezultat ndaj një rivali direkt bëri që Shqipëria të ngjitej në kuotën e 13 pikëve, duke forcuar pozitat në vendin e tretë në grupin tonë eleminator. Kombëtarja është 4 pikë përpara Izraelit që u mund në fushën e Italisë, dhe 6 pikë larg Maqedonisë.

Sfidanti.al