Shqipëria minus Sadikun, por shqetëson mosaktivizimi i lojtarëve me klubet!

Për fat të keq pritet të jetë mungesë. Sulmuesi më në formë i kombëtares, Armando Sadiku, mesa duket nuk e kaloi dot problemin shëndetësor dhe mendohet ta nisë nga stoli ndaj Lihtenshtajnit. Në mungesë edhe të Sokol Cikalleshit të dënuar nga trajneri Panuçi, kombëtarja shqiptare do të duhet të falet tek Azdren Llullaku për ndeshjen e sotme të orës 18:00, në eleminatoret e Botërorit.

Pjesa tjetër e skuadrës nuk duhet të ketë shumë ndryshme, me një dyshim në qendër të mbrojtjes, Ajetin apo Gjimshitin nga minuta e parë. Gjithsesi, shqetësimi më i madh për Panuçin dhe për tifozët është aktivizimi i paktë i futbollistëve në klubet e tyre, në këtë fillim sezoni.

Portierët Berisha e Strakosha, për fat, kanë luajtur titullarë në Serinë A, përkatësisht për Atalantën dhe Lacion. Po ashtu, kapiteni Ansi Agolli te Karabaku në Azerbajxhan, që arriti në finalen e Championsit. Nuk bën përjashtim Elseid Hysaj i Napolit, që mbetet pikë e fortë e skuadrës së Sarrit.

Mavraj ka qenë në fushë vetëm 58 minuta në ndeshje zyrtare për Hamburgun në Gjermani. Më keq gjendja e Amir Abrashit te Frajburgu që nuk është aktivizuar fare, duke qendruar në stol. Ledian Memushaj dhe Berat Gjimshiti janë që të dy tek Benevento në Serinë A, por pas dy ndeshjeve të para nuk janë aktivizuar aspak.

Arlind Ajeti është paksa më mirë, pasi ka luajtur në takimin e dytë të Serisë A për Krotonen, madje titullar. Odise Roshi, që luan në Premier Ligën ruse me Ahmat të Groznit, ka luajtur vetëm dy ndeshje, edhe ato jo të plota. Migjen Basha ka një ndeshje për Barin, por jo për faj të vet, aq është luajtur në Serinë B italiane. Po në Serinë B, Veseli e ka luajtur edhe ai ndeshjen e tij, por vetëm një.

Burim Kukeli është tek Sioni në Zvicër, ku është aktivizuar në vetëm 2 nga 6 takimet e Superligës. Më i rregullt Azdren Llullaku që ka pasur më shumë sukses me Tobolin, edhe pse ka shënuar vetëm një gol, ndërsa po ashtu Andi Lila ka qenë i rëndësishëm për Janinën në Greqi. Më ndryshe është situata e lojtarëve më të rinj si Grezda, Ahmedi, Memolla, Balliu, veçse këta pritet më pak që të aktivizohen nga Panuçi.

Formacioni i mundshëm: Berisha  – Hysaj, Ajeti, Mavraj, Agolli – Basha, Abrashi, Memushaj – Roshi, Llullaku, Grezda.

Sfidanti.al