Ajo që u cilësua si finale u humb dhe kombëtarja shqiptare nuk ka më shpresë për të dalë e para në grupin e saj në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë e trajnerit Edi Reja u mundën 2-1 nga Izraeli në Tel Aviv, në një ndeshje të fortë, rezultati i së cilës u përcaktua nga gabimet e futbollistëve tanë. Në fillim të pjesës së dytë portieri Strakosha i fali topin izraelitëve, dhe po ashtu në sekondat e fundit ishte mbrojtësi Mihaj që gaboi duke u dhënë mundësi që të shënonin golin e fitores.
Për kombëtaren nuk mjaftoi goli shumë i bukur i Myrto Uzunit, që u aktivizua vetëm në minutën e 78-të, dhe që gjeti rrugën e rrjetës 10 minuta më vonë. Ky rezultat bën që Izraeli të sigurojë vendin e parë në grup, ndërsa Shqipëria rrezikon të dalë e fundit nëse nuk fiton me Islandën të mërkurën e ardhshme në “Arenën Air Albania”. Mesa duket ky mund të jetë fundi i epokës së Edi Rejës në stolin kuqezi, pasi kontrata parashikonte rinovimin vetëm nëse dilnim në vendin e parë. Gjithsesi, fati e deshi që kombëtarja të mos binte nga Niveli B në Nivelin C, pasi nga grupi ynë është përjashtuar Rusia.
Izrael-Shqipëri 2-1 (Vajsman 46’, Uzuni 88’, Baribo 90’+2)
Shqipëria: Strakosha, Balliu (Veseli 46’), Ismajli, Ajeti (Mihaj 78’), Hysaj, Abrashi (Ramadani 67’), Asllani (Bajrami 67’), Gjasula, Laçi, Cikalleshi (Uzuni 78’), Broja.
Sfidanti.al