Nuk është një turne shumë i madh, por disfata nuk i pëlqen askujt. Në grupin e hekurt të Ligës së Kombeve, dy kombëtare kaq të mëdha sa ato të Anglisë dhe Gjermanisë pësuan humbje dhe turpërim. “Tre luanët” u mundën në Milano nga Italia, pas një goli të bukur të Raspadorit, dhe kështu ra nga kategoria. Anglezët do të jenë shokë me shqiptarët në nivelin B, ndërsa kanë ka 5 ndeshje pa fitore dhe 495 minuta pa gol në aksion nga loja. Me Italinë nuk fitohet një ndeshje zyrtare që nga 1978-ta, ndërsa kritikat kanë shpërthyer.
“A mund ta pranojmë këtë? – komenton “Deili Meili”, – Sauthgejti nuk luan futboll hevi-metël, por mungesa e guximit dhe besimin po dëmton ekipin. Me një paraqitje të tillë nuk fitohet Kupa e Botës!” “E kuptoj reagimin e tifozëve, – deklaroi trajneri, – sepse rezultatet tona në këtë konkurrim kanë qenë të dobëta. Unë e kuptoj reagimin e tyre emocional. Gjithsesi, unë mendoj se në këtë ndeshje pati shenja të mira. Jemi në rrugën e duhur”.
“Italia që na pëlqen, – titullon “La Gazeta delo Sporti”, – Perla e Raspadorit mund Anglinë. Mançini dhe zemra e talenteve të reja!” Gjithsesi, Të Kaltrit janë eliminuar nga Botërori, siç e theksoi trajneri Mançini. “Jemi duke vuajtur shumë, – tha ai, – por, kjo fitore na jep një lloj lehtësimi. Një sukses i rëndësishëm. E prisja që të luanim mirë, por e dija se do të ishte e vështirë. Lojtarët tanë nuk ishin në maksimum, dhe Anglia është skuadër e madhe. Mendoj se e merituam fitoren. Nuk është asnjëherë gjë e vogël të mundësh Anglinë”.
Sfidanti.al