Po, po, Turqisë në miqësore ia kemi marrë dorën. E kemi bërë me trajnerë shqiptarë si Astrit Hafizi apo i ndjeri Medin Zhega, e bëmë sërish me trajner të huaj, si Kristian Panuçi. Kombëtarja shqiptare bindi përkundër mungesave dhe problemeve me disiplinën, duke triumfuar 3-2 në Antalian turistike, por ku nuk kishte shkuar për turizëm.
Armando Sadiku u provua sërish si “xhevahiri” i sulmit, por Eros Grezda vërtetoi sërish se është zgjedhje e duhur nga ish-trajneri ynë, De Biazi, dhe tani nga Panuçi.
Kombëtarja nuk është se nuk vuajti, pasi Turqia pati krijoi disa momente të rrezikshme në portën tonë, veçse kjo ishte e pritshme sepse po luhej në fushën e saj, në prani të dhjetëra mijë tifozëve të zjarrtë.
Për më tepër, ekipi përfaqësues u ndodh në inferioritet numerik që nga minuta e 41-të e pjesës së parë, duke luajtur më shumë se 50 minuta me 10 lojtarë, pasi Ledian Memushaj mori karton të kuq, pas dy të verdhave.
Gjithsesi, Panuçi arriti një tjetër sukses, të dytin në 5 ndeshje me kombëtaren, ndërsa ndeshjet e tjera i ka një barazim dhe dy humbje. Duke pasur parasysh se barazimi 1-1 u arrit në Maqedoni, dhe se humbjet 0-3 e 0-1 ishin ndaj Spanjës në Spanjë dhe ndaj Italisë në Shkodër, bilanci i italianit padyshim quhet pozitiv.
Në ekip debutoi Astrit Ajdareviç, që pritet të jetë një plus i rëndësishëm, dhe po ashtu u bënë zëvendësime të shumta, mes të cilëve hyri edhe debutuesi tjetër Qaka, ndërsa iu dha një dorë edhe Alijit që ka mbetur pa skuadër.
Ishte një tjetër sukses i futbollit shqiptar ndaj trajnerit rumun të Turqisë, Mirçea Luçesku, i cili 31 vjet më parë provoi një eleminim të hidhur nga Tirana (17 Nëntori i atëhershëm) në Kupën e Kupave të Europës, ndërsa drejtonte Dinamon e Bukureshtit.
Sfidanti.al