Shqipëria e Panuçit dorëzim pa kushte në Skoci, Liga e Kombeve një makth!

Nëse fitorja me Izraelin na bëri të harrojmë disa të vërteta, mbrëmja e Gllazgout na i kujtoi përsëri. Shqipëria fitoi edhe me fat në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, ndërsa pësoi disfatë plotësisht të merituar në fushën e Skocisë. Dorëzimi pa kushte në “Hampden Park” na kujtoi se ishim pikërisht ne që humbëm 0-3 me Kosovën dhe 1-4 me Ukrainën, edhe pse në miqësore.

Na solli ndërmend sesa herë largohen nga fusha lojtarë si Basha, kombëtarja sikur nuk di ta qarkullojë topin, qoftë edhe përballë një kundërshtari që nuk ishte ndër më të fortët e mundshëm. Tifozët, padyshim që u zhgënjyen, edhe ata që ishin në stadium, edhe ata që e ndoqën nga televizori, ndërsa pyesin se kur do të arrijmë të shikojmë atë ekip që fitoi në Portugali, mundi Francën e barazoi në Francë në miqësore, përballoi Serbinë në Beograd, apo shkëlqeu në Euro 2016?

Panuçi bëri dy ndryshime në formacion, duke hedhur në fushë Lilajn në vend të Bashës, dhe Ndojin në pozicionin e Hykës, por sidomos pjesa e parë ishte tepër e dobët, edhe pse përfundoi 0-0. Skocezët, pikërisht ata që u mundën 0-4 nga Belgjika, patën mundësi të realizonin disa herë, edhe pse herë nuk patën fat, dhe herë gabuan vetë.

Fati u kthye përmbys pas pushimit, me vendasit që u dukën se shënuan në pozicion jashtë loje. Po ashtu, britanikët shpëtuan mirë në dy raste të pastra që pati Bekim Balaj, në minutat pas pësimit të golit. Gjithsesi, reagimi shqiptar ishte me minutazh të shkurtër, ndërsa nuk u kuptua mirë nëse ekipi ra fizikisht apo edhe moralisht. Kjo humbje tregoi se nuk mund të quhemi favoritë për kualifikimin në grupin tonë, madje pritet ta kemi të vështirë edhe në eleminatoret e Europianit.

Sfidanti.al