Shqipëria e futbollit me një legjendë më pak, shuhet Ali Mema!

Ishte padyshim ndër futbollistët më të mirë të të gjitha kohëve për vendin tonë. Po ashtu, pa asnjë dyshim, ishte edhe njëri nga më të ndershmit e të panjollosurit, me integritetin që e ruajti deri në frymën e fundit. Shqipëria e futbollit është në zi për vdekjen e legjendës Ali Mema, ish-yll i 17 Nëntorit të atëhershëm (Tiranës) dhe kombëtares, po ashtu si trajner në klubin që e deshi aq shumë.

Njëri nga emrat më të spikatur të asaj që mund të quhet “Dinastia Mema”, u shua pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, në moshën 76-vjeçare. Lindur në 11 shkurt 1943, “Liu” u bë pjesë e skuadrës së të rriturve të Tiranës që në moshën 17-vjeçare. i formuar nga trajneri i njohur, Xhavit Demneri, ai fitoi katër tituj kampion me 17 Nëntorin e drejtuar nga trajneri Myslym Alla, po ashtu Kupën e Shqipërisë.

Mema luajti 1 vit për Vllazninë, si dhe 12 ndeshje për ekipin kombëtar. Në kupat ballkanike, ai luajti edhe për Partizanin dhe Dinamon. Si ndihmëstrajner u shpall kampion i Shqipërisë tri herë, në vitet 80-të dhe 90-të.

Ali Mema u nderua me tituj të ndryshëm si Mjeshtër i Merituar, Mjeshtër i madh, Mjeshtër Sporti, Nderi i Sportit Shqiptar, Legjenda e Futbollit Shqiptar, Mirënjohje e Qytetit të Tiranës si dhe bën pjesë në Librin e Artë të Klubit të Futbollit Tirana.

Sfidanti.al