“Shpërthimi” i Durantit më i fortë se Lebroni, 1-0 për Golden Stejtin!

Kevin Durant mezi kishte pritur të dilte në fushë në finalen e dytë të karrierës së tij, dhe të parën që ndoshta mund të përfundojë më në fund me fitore. Me një frymëzim të papërmbajtur, ish-ylli i Oklahomës i dha Golden Stejtit fitoren e parë në serinë e madhe përfundimtare të NBA-së ndaj Klivlendit.

Nënkampionët i mundën kampionët me 22 pikë diferencë, aspak gjë e vogël kur përballë ishte Lebron Xhejms, këtë herë me një skuadër pa mungesa, me Kevin Lovin dhe Kajri Irvingun në përbërje. Durant shënoi 38 pikë, dhe iu afrua një “tripëll dabëlli” me 8 topa në tabela dhe 8 asistë. Stefën Kërri shkëlqeu gjithashtu në finalen e tretë radhazi të tij, duke shënuar 28 pikë (gjashtë 3-pikësha) e duke shërbyer 10 asistë.

Lebron Xhejms nuk luajti keq, edhe pse i mbuluar fort. Ai shënoi 28 pikë dhe kapi 15 topa në tabela, duke shtuar 8 asistë. Për pak një “tripëll dabëll”. Kevin Lov shënoi 15 pikë dhe kapi 21 topa në tabela, ndërsa Kajri Irving pati 24 pikë të realizuara. Ndeshja e dytë finale do të jetë po në fushën e Golden Stejtit, duke u gdhirë e hëna.

Sfidanti.al