Shkëndija më e fortë se vapa, tifozët e Milanit vrapojnë për biletat!

Nuk pritet të arrihet shifra e 65 mijë e më shumë tifozëve në “San Siro”, për debutimin europian të këtij Milani. Gjithsesi, edhe në kulmin e vapës dhe të “luciferit” të gushtit, tifozët milanistë kanë vrapuar nëpër shitore për të siguruar një biletë për ndeshjen ndaj Shkëndisë së Tetovës në Ligën e Europës. Mediat italiane shkruajnë se për dy orë u shitën më shumë se 15 000 bileta, dhe shtojnë se deri në 17 gusht kur do të luhet përballja e plej ofit, pritet të shiten edhe shumë të tjera.

Publiku i mësuar me triumfe në Itali dhe sidomos në Europë, nuk besohet se është tërhequr nga emri modest i kundërshtarit, por më shumë nga blerjet e mëdha të bëra nga pronarët e rinj nga Kina. Gjithsesi, Shkëndija do të përpiqet të lerë gjurmë dhe të mbahet mend kur të dalë në fushën e njërit prej stadiumeve më të famshëm të futbollit në botë, dhe përballë njërës prej skuadrave më të shquara.

Sfidanti.al