Shakaja për Dejvisin e Bajernit: Policia nuk e lejon të vrapojë në rrugë!

Është lojtari më i shpejtë i Bundesligës, dhe ka arritur maksimumin 36.51 km në orë, ndërsa ka “ngarë vrap” gjatë ndeshjeve të kampionatit gjerman. Për Alfonso Dejvisin bëhet një shaka në Gjermani, se policia nuk e lejon që të stërvitet në rrugë, sepse forcat e rendit në rrugën “Zebener Shtrase” ndalojnë këdo që kalon kufirin e shpejtësisë 30 km në orë. Dejvisi e tregoi shpejtësinë e tij të jashtëzakonshme në ndeshjen ndaj Grojter Fyrtit kur jo vetëm shpëtoi ekipin nga goli, duke larguar topin në vijën fatale, por menjëherë pas kësaj nisi vrapin duke lënë pas 5 lojtarë kundërshtarë. Në Gjermani thonë se ai duhet vlerësuar më lart edhe se Usain Bolti për shpejtësinë e tij, ndonëse xhamajkani ka arritur në 44.72 km në orë. Kjo sepse Bolti vrapon drejt, pa asnjë pengesë dhe shqetësim, ndërsa Dejvisi vrapon duke pasur kundërshtarë përballë, në një fushë me bar dhe me top në këmbë, si dhe duke u kujdesur për të parë vendosjen e shokëve.

Sfidanti.al