Sergio Ramos 176 herë “spanjoll”, pas rekordit të Bufonit synohet rekordi botëror!

Ishte një ditë krejt e veçantë për të. Sergio Ramos do ta mbajë mend sfidën ndaj Holandës në Amsterdam, pasi mbrëmjen e kësaj të mërkure ai barazoi një rekord të madh. Veshi fanelën e Spanjës për herë të 176-të në karrierë, duke mbërritur legjendën e Italisë, Xhanluixhi Bufon. Në ndeshjen e radhës atë ndaj Zvicrës të shtunën, kapiteni i “furive të kuqe” do të jetë rekordmen europian i vetëm i paraqitjeve me ekipet përfaqësuese.

Një gjë të tillë nuk e kanë bërë dot yje nga më të mëdhenjtë të futbollit kontinental, ndaj padyshim që Ramosi është tepër krenar dhe i lumtur. Shpejt, ai do të thyejë edhe rekordin botëror me 184 ndeshje me kombëtaren, të egjiptianit Ahmed Hasan. Miqësorja Spanjë-Holandë në “Arenën Johan Krujf” përfundoi 1-1, me gola të shënuar nga Sergio Kanales për miqtë në pjesën e parë dhe Doni Van de Bek për vendasit pas pushimit.

“Sergio është i veçantë, nuk ka tjetër si ai, – tha trajneri iberik, Luis Enrike, – ai është në një nivel tjetër. Rekorde të tillë mund të arrihen vetëm nga ata që janë ajka e futbollit. Jam shumë i lumtur për të, dhe besoj se ka mundësi të vendosë rekorde të tjerë në karrierë me kombëtaren dhe me Realin e Madridit”.

Ramos debutoi me Spanjën në mars 2005, dhe në një karrierë 15-vjeçare shënoi 23 gola, si dhe fitoi trofe të mëdhenj. Në 2008 e 2012 u shpall kampion i Europës, ndërsa në 2010 fitoi Kupën e Botës.

Sfidanti.al