Gomez, Van Dajk, Aleksandër-Arnold dhe Fabinjo, mbrojtja e Liverpulit në spital!

Lajmi i fundit tepër i keq për Jurgen Klopin ishte që një tjetër mbrojtës i tij i qendrës pësoi dëmtim. Jo vetëm kaq, por Xho Gomez me shumë mundësi mund të humbasë vazhdimin e sezonit pasi pësoi dëmtim në stërvitjen e Anglisë, në prag të ndeshjes miqësore ndaj Irlandës. Dëmtimi është në gju dhe trajneri Sauthgejt deklaroi se “nuk ishte gjë e mirë, por do të presim rezultatet e vizitës mjekësore”. Edhe me më shumë ankth këto rezultate po i pret Liverpuli që ka një krizë të jashtëzakonshme në mbrojtje. Virgil Van Dajk nuk luan deri në fund të sezonit pasi u lëndua në derbin ndaj Evertonit, Trent Aleksandër-Arnold u dëmtua në ndeshjen e kaluar në Premier Ligë ndaj Mançester Siti, ndërsa Fabinjo ende nuk është kthyer. Klopi ka dy mbrojtës qendre jashtë, si dhe mesfushorin Fabinjo që e kishte përshtatur në qendërmbrojtës. Braziliani mund të kthehet pas ndeshjeve me kombëtaret, dhe mund të luajë në krah të Zhoel Matipit, që gjithashtu mungoi disa ndeshje. Përveç tyre Klopi ka edhe 23-vjeçarin Uilliams. Nëse do të arrijë të mbrojë titullin me këto mungesa, ky do të ishte suksesi më i madh për trajnerin gjerman.

Sfidanti.al