Dita më e madhe në historinë e klubit i solli 300 000 stërlina të ardhura. Saton Junajtid arriti për herë të parë në raundin e pestë (të tetat e finaleve) të Kupës së Anglisë, dhe ky ishte shpërblimi financiar për eleminimin e të shquarit Lids Junajtid. Shorti i hedhur ditën e djeshme i dha ekipit të kategorisë së pestë një kundërshtar shumë më të madh, pikërisht Arsenalin e Arsen Vengerit, Aleksis Sançezit, Olivie Zhirusë, Granit Xhakës e Shkodran Mustafit. Kjo ndeshje do të vlejë më shumë se 300 000 stërlina.
Trajneri Pol Dosuell siguroi se paratë do të shpenzoheshin siç duhet. Në kategorinë e pestë, qoftë edhe në Angli, nuk “notohet në para”, pasi ato janë me pikatore. Klubi do të përdorë një pjesë të financimit nga kupa, për t’i kthyer mbrapsht trajnerit, një borxh të mëparshëm. Bosuell është i dypunësuar, dhe aktiviteti tjetër i tij është ai i ndërtimeve apo restaurimeve të ndërtesave të vjetra, ndërsa paratë ia kishte dhënë borxh klubit në mënyrë që të paguhej stadiumi ku zhvillohen ndeshjet. Pjesa tjetër e parave do të përdoret për … të mbyllur një vrimë në çatinë e bar-restorantit të stadiumit.
Shorti i raundit të pestë të Kupës e vendosi, ndërkaq, skuadrën tjetër të kategorisë së pestë, Linkoln Siti, përballë Bërnlit të Premier Ligës, në fushën e këtij të fundit. Ja çiftet: Bërnli-Linkoln Siti, Fulham-Totenhem, Blekbërn-Man. Junajtid, Saton Junajtid-Arsenal, Midëllsbrou-Oksford Junajtid, Uolves-Çelsi, Hadërsfild-Man. Siti, Milluoll-Derbi/Leiçester.
Sfidanti.al