Paulo Dibala do të firmosë shpejt kontratën e re me Juventusin. Vetë drejtori sportiv bardhezi, Bebe Marota, e saktësoi këtë në një intervistë televizive të orëve të fundit, i sigurt që talenti argjentinas nuk do ta lerë në baltë. Dibala kërkohet fuqimisht nga Reali i Madridit, nëse do t’i besojmë lajmeve nëpër media, dhe kampionët e Italisë dëshirojnë që ai të mos jetë i rrezikuar. Në fund të fundit, vlen shumë më tepër kartoni i një futbollisti që është i lidhur me kontratë afatgjatë.
Marota nuk dha shifra financiare, as kohëzgjatjeje kontrate, veçse tha se “firma mund të vijë në javët e ardhshme”. Drejtuesi i lartë i kampionëve foli edhe për atë që mund të quhet një konflikt mes Dibalës dhe trajnerit Masimiliano Alegri, por nuk u shfaq aspak i shqetësuar. “Ajo që ndodhi nuk është problem, – u shpreh ish-njeriu i Sampdorias, – e di se trajneri dhe lojtari kanë respekt reciprok, ndaj ka situata ku klubi nuk ka përse ndërhyn”. Së fundi, Marota hodhi poshtë lajmet se Juventusi kërkon të marrë 22-vjeçarin argjentinas, Leandro Paredes të Romës.
Sfidanti.al