Saki “i përvishet” Pirlos: Juves së re i duhet një trajner me ide të qarta

Nuk është asnjëherë gjë e bukur, kur një njeri i profesionit kritikon dikë tjetër, dhe Arrigo Saki edhe në rolin e analistit, ka ditur të ruajë etikën. Gjithsesi, pa ofenduar, ai drejton gishtin nga Andrea Pirlo duke deklaruar se Juventusi ka nevojë për një trajner tjetër. Krijuesi i Milanit të madh të holandezëve, dhe tekniku i Italisë nënkampione e botës në 1994, qorton Pirlon duke e quajtur një njeri pa ide të qarta. Me gjasë, Saki e ka fjalën për ndryshimet e shumta në stilin e lojës, ndonëse “Zonja e Vjetër” ka pasur probleme të mëdha me dëmtimet. Një tjetër kritikë e Sakit është që “ndaj Portos, Juventusi ishte pa ritmin e duhur dhe pa motivimin e duhur”. Ndoshta këtu ka të drejtë “magjistari i stolit”, pasi problemi kryesor i Pirlos duket se është mungesa e entuziazmit në frymëzimin e skuadrës. Duke qenë tip tepër i qetë, gjë që dallohet edhe në konferencat për shtyp, nuk është e sigurt nëse ai arrin të ngrejë “adrenalinën” te kampionët e tij. Ndërkaq, në një analizë në “La Gazeta Delo Sport”, thuhet se Juventusi duhet të zgjedhë mes Pirlos dhe Ronaldos.

Sfidanti.al