Nuk mund të thuhet ndryshe kur skuadra mike ka dyfishin e gjuajtjeve drejt portës sesa vendasit, dhe kur i anulohen dy gola për pozicion jashtë loje në 11 minutat e para të ndeshjes. i tillë Milani në sfidën e parë të raundit të tretë të Ligës së Europës, në përballjen e madhe klasike ndaj Mançester Junajtidit në “Old Traford”. Përfundoi 1-1, edhe pse anglezët ishin në avantazh deri në minutën e 2-të shtesë, e madje mund të kishin fituar, por nuk do ta kishin merituar. Edhe vetë tabloidet britanike nuk patën guxim ta thoshin këtë.
Skuadra e trajnerit Stefano Pioli tregoi lojë më të mirë, më të zhdërvjellët, edhe pati mungesa të rëndësishme si Ibrahimoviç, Çalhanoglu apo Rebiç, por edhe të tjerë. Natyrisht, edhe ekipit të Solskjerit i munguan lojtarë, pasi nuk ishin Rashford, Kavani, Pogba e disa të tjerë hynë pas pushimit. Gjithsesi, fakti që Milani pati lojë më superiore tregon se ishte skuadër më e përgatitur. Ndoshta Pioli është trajner me më shumë përvojë sesa Solskjeri, ndoshta Junajtidi u vetëkënaq nga fitorja e derbit ndaj Sitit në Premier Ligë. Fakt është që italianët janë më pranë kualifikimit pas një jave, për të vazhduar traditën sipas së cilës janë kualifikuar 4 nga 5 herë që janë përballur me Junajtidin.
Man. Junajtid: Henderson, Uan-Bisaka (Uilliams 74’), Bejli, Megajer, Tejes, Mektominaj, Matiç, Grinvud, Fernandez (Fred 74’), Xhejms (Shou 74’), Marsial (Diallo 46’). Tr. Solskjer
Milani: Donaruma, Kalabria (Kalulu 74’), Kjer, Tomori, Dalo, Kesi, Meite, Zelemekers (Kastijeho 69’), Diaz (Tonali 69’), Kruniç, Leao. Tr. Pioli
Golat: Diallo 50’, Kjer 90’+2
Sfidanti.al