Totenhemi e Arsenali mbajnë lart flamurin anglez në Ligën e Europës

Ole Gunar Solskjeri foli me mendjemadhësi pas shortit të Ligës së Europës, duke thënë se “Mançester Junajtidi mund ta fitojë trofeun, jam më pak i sigurt për dy ekipet e tjerë angleze”. Ndryshe nga sa mendoi trajneri norvegjez, Totenhemi e Arsenali fituan, ndërsa Junajtidi vetëm barazoi në shtëpi. Totenhemi ia doli ndaj Dinamos së Zagrebit duke fituar 2-0 në ndeshjen e parë.

Harri Kejn shënoi dy gola për londinezët duke arritur në 26 rrjeta këtë sezon, ndërsa ka edhe mjaft asistë. Zhoze Murinjo padyshim u kënaq nga fitorja që e afron ekipin e tij me çerekfinalet, dhe sidomos që nuk u pësua gol në shtëpi. “Është një kënaqësi që nuk pësuam gol, – tha portieri dhe kapiteni Hugo Joris, – rezultat i mirë për ne, mund të kishim shënuar më shumë, por jemi të lumtur. Deri tani kemi kaluar vetëm pjesën e parë të duelit. Sa për Kejnin, ai po kënaqet me lojën e tij, ndërsa ne shpresojmë t’i kemi lënë pas krahëve problemet”.

Arsenali, ndërkaq, arriti një fitore të rëndësishme në Greqi ndaj Olimpiakosit, ndonëse edhe në Pire pati gabime në mbrojtje. Odegard kaloi londinezët në epërsi, por Jusef El Arabi barazoi duke shfrytëzuar gafat e anglezëve. Sidoqoftë, Gabriel Magaljaesh dhe Mohamed Elneni shënuan për miqtë.

Dy ekipe italiane mund të jenë në çerekfinale, dhe Roma duket se e ka të sigurt pas fitores 3-0 në “Olimpiko” ndaj Shahtarit të Donjeckut. Lorenco Pelegrini, Stefan El Sharaui dhe Xhanluka Mançini shënuan golat, ndërsa Marash Kumbulla ishte në formacion dhe mori një karton të verdhë. Milani ka shanse të mira pas barazimit 1-1 në fushën e Mançester Junajtidit.

Edhe spanjollët pritet të kenë dy ekipe në 8 më të mirët e kupës, edhe pse nuk do të jetë Sevilja. Vijarreali dha një sinjal të rëndësishëm me fitoren 2-0 në Kiev ndaj Dinamos vendase, ku golat u shënuan nga Pau Torres dhe Raul Albiol. Granada vazhdoi formën e shkëlqyer në Europë me suksesin 2-0 në shtëpi ndaj norvegjezëve të rrezikshëm të Moldes. Molina dhe Soldado shënuan golat.

Rezultatet: Totenhem-Dinamo Zagreb 2-0, Olimpiakos-Arsenal 1-3, Roma-Shahtar Donjeck 3-0, Granada-Molde 2-0, Ajaks-Jang Bojs 3-0, Dinamo Kiev-Vijarreal 0-2, Mançester Junajtid-Milan 1-1, Sllavia Pragë-Gllazgou Rejnxhërs 1-1. Ndeshjet e kthimit në 18 mars.

Sfidanti.al