Sadiku “ngroh” Malagën dhe kombëtaren, tashmë goli i bëhet “ves”!

Rruga është e gjatë, por tashmë duket ajo e duhura. Falë një shqiptari të ardhur pa zhurmë, një skuadër e njohur si Malaga ka më shumë shpresë të mbetet në ligën e dytë të Spanjës, për të ndërtuar më pas një projekt edhe më ambicioz. Armando Sadiku ishte njeriu-gol në duelin ndaj Tenerifes, fituar 2-0 duke qenë realizues i dyfishtë.

Sulmuesi 28-vjeçar gjeti rrugën e rrjetës në minutat 27 e 76, duke i dhënë kuptim lojës së skuadrës, e duke garantuar tri pikë tepër të rëndësishme. “Mendoj se kjo ishte ndeshja ime më e mirë me Malagën, – tha shqiptari më pas, – shënova dy gola dhe fituam. Jam shumë i lumtur për ekipin dhe për veten time. Falenderoj shokët e skuadrës, por po ashtu publikun. Ishte shumë bukur kur thirrën emrin tim”.

Gazeta “Marka” theksoi: Sadiku shkatërron “Barahën”! Dy gola të shqiptarit nxjerrin Malagën nga zona e ftohtë dhe ëmbëlsojnë debutimin e Pipos!

Me 6 gola këtë sezon, ylli i kombëtares hyn në 10 shënuesit më të mirë të Ligës së Dytë deri tani, dhe padyshim synon për më lart. Ai është sulmuesi kryesor i ekipit, duke pasur diferencë me të tjerët. Shënuesi më mirë tek Malaga, pas Sadikut, është Antonjin me gjysmën e golave të tij, vetëm 3. Pas kësaj fitoreje, Malaga u ngjit në vendin e 17-të mes 22 ekipeve të kampionatit, duke pasur 20 pikë në 19 javë. Gjithsesi, klasi i Sadikut do të duhet edhe në vazhdim për të mos lejuar rënien nga kategoria.

Sfidanti.al