Kush e ka harruar historinë e tmerrshme të 18 viteve më parë, kur amerikanët dhe britanikët sulmuan dhe pushtuan Irakun mbi provat false se Sadam Huseini kishte armë të shkatërrimit në masë dhe lidhje me Al Kaedën. As ftesa e diktatorit iraken për të bërë inspektim në vend nuk bëri punë, dhe Xhorxhi Bushi e Toni Bleri hodhën nga 200-300 000 ushtarë, të armatosur deri në dhëmbë, me aeroplanë, helikopterë, sisteme raketash, elektronike, flotën më të fortë në botë e gjithçka tjetër për ta ulur në gjunjë një vend që nuk kishte asnjë lidhje me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, dhe asnjë rrezik për ta. Pas kësaj aventure që kushtoi qindra mijë jetë njerëzore, as shtetet agresore, dhe as sporti i tyre nuk pati asnjë pasojë, përkundrazi, ishin të përkëdhelurit në të gjithë botën. E kundërta po ndodh me agresorin e sotëm, Rusinë, që ka sulmuar me zjarr e me hekur Ukrainën. Nuk mbarojnë sanksionet ekonomike, politike, diplomatike, por edhe sportive. FIFA u tregua disi “e mëshirshme” sepse nuk e përjashtoi kombëtaren e Rusisë nga Kupa e Botës në Katar, por e urdhëroi të luajë ndeshjet në fushë neutrale, dhe pa flamur e pa himn. Pa problem, kush ka sy në ballë dhe dëshirë të informohet, kur ka logjikë dhe respekt për të vërtetën, e shikon se standardet janë të dyfishta.
Sfidanti.al