Rumenige vë alarmin për Bundesligën: Europa po na lë pas!

Klubet gjermanë mburren me një rregull që nuk e ka asnjë nga vendet e mëdha të futbollit në Europë, tifozët kanë të drejtë me ligj të zotërojnë 51 për qind të aksioneve të klubeve dhe kjo vlen padyshim edhe për Bundesligën, veçse tek Bajerni nuk janë aspak të kënaqur. Shefi ekzekutiv i bavarezëve, Karl-Hajnc Rumenige, ka ngritur alarmin.

“Sjellja jonë në këtë çështje shkakton të qeshura në SHBA, – u shpreh Rumenige, që ndodhet në turne në Amerikë me Bajernin, – gjithkush frikësohet se ne do të humbasim konkurrueshmërinë nëse hapim tregun, por e kundërta është e vërtetë. Gjermania do të përfitojë. Ne duhet të mos nxisim populizmin, që po e ngjisim në nivele absurde”.

Bosi i Bajernit thotë se ky ligj pengon investuesit e mëdhenj që të hedhin paratë në klubet e Bundesligës, siç ndodh në Angli, Spanjë, Francë apo Itali. Ligji ndihmon që biletat të kenë çmime të ulëta dhe që stadiumet të jenë plot, por nga ana tjetër bën që asnjë klub gjerman përveç Bajernit të mos ketë fuqi për të konkurruar në Champions.

Sfidanti.al