Rumenige: Pas ndalesës në Kupë, Bajerni t’i kthehet “pingpongut”!

Ka luajtur vetë futboll në nivelet më të larta, dhe e kupton mirë se çfarë po ndodh me skuadrën e klubit ku ai është shefi. Karl-Hajnc Rumenige ka provuar suksese me Gjermaninë Perëndimore dhe Bajernin, si dhe me Interin, për të ndjerë lodhjen tek futbollistët bavarezë, që po shfaqet gjithë këto javë. “Ky, kuptohet që, nuk është fillimi i vitit që ne do të kishim dashur, – tha shefi ekzekutiv i Bajernit, në një intervistë për mediat bavareze “Tages Cajtung” dhe “Mynhner Merkur”, – kryesorja është të ulin numrin e golave të pësuar. Vjet ne fituam kurorën e trefishtë plus dy superkupat dhe u lavdëruam ditë e natë. Mund të quhet humane, që të ndalet pak hapi për të marrë disi frymë”.

Gjithsesi, Rumenige kërkon që skuadra t’i tregojë trajnerit dhe klubit se ajo që ndodhi në Kupë ishte thjesht një “aksident në punë”. “Duhet të kthehemi aty ku ishim, – këshilloi ai, – sidomos siç ishim verën e kaluar ku bëmë presion të madh dhe secili bëri detyrën. Kundërshtarët nuk dilnin dot nga mbrojtja, ishte si një lojë pingpongu, në kuptimin pozitiv. Duhet ta rigjejmë këtë lojë nëse duam të jemi të suksesshëm edhe këtë vit”.

Sfidanti.al