E ka pasur këtë kërkesë edhe kur ishte shef ekzekutiv i klubit, dhe kur punonte krah për krah me Uli Hënesin, e ka edhe tani. Për Karl-Hajnc Rumenigen, Bundesliga gjermane nuk do të arrijë kurrë të jetë si Premier Liga apo si La Liga, nëse nuk do të ndryshohet rregulli tradicional që përcakton zotërimin e klubeve nga tifozët. Nëse në parimin e demokracisë kjo është diçka shumë e mirë, kur vjen puna tek realiteti, pasojat janë të tilla që skuadrat gjermane nuk mund të konkurrojnë në Champions, me përjashtim të Bajernit.
“Në Gjermani ka një pengesë shumë të madhe që quajtur “50+1”, ndonëse kjo pëlqehet shumë nga tifozët, ndoshta më shumë nga ultrasit, – tha Rumenige, – duhet të pyesim veten se edhe përsa kohë Bundesliga mund ta përballojë këtë rregull?” Ky rregull do të thotë se tifozët zotërojnë mbi 50 për qind të aksioneve të klubeve, duke mos lejuar që investitorë të fuqishëm të hedhin paratë e tyre, përderisa nuk mund të jenë vendimmarrës. Ky rregull ka siguruar që Bajerni të jetë superfuqia e vetme në futbollin gjerman, por kjo e dëmton ekipin bavarez në nivelin financiar dhe sepse yjet nuk duan më që të luajnë në një kampionat kaq të njëanshëm sa Bundesliga.
Sfidanti.al